Ali Sowe duket se e ka marrë seriozisht garën për Këpucën e Artë, teksa ka shënuar plot 5 gola në dy takimet e fundit, duke parakaluar Gurin dhe duke u rreshtuar në krye të kësaj liste. Sulmuesi nga Gambia edhe sot ishte më i miri në fushë për Skënderbeun, teksa mori për dore skuadrën dhe e udhëhoqi drejt fitores.
Sowe shënoi 3 gola sot, duke merituar të marrë topin në shtëpi pas ndeshjes, sipas rregullave, por drejtuesit e Lushnjës e kundërshtuan, pasi nuk kishin mjaftueshëm topa. Gjithsesi gjithçka u zgjidh me ndërhyrjen e korçarëve, që u dhanë një tjetër top homologëve të tyre të Lushnjës.
- Shënuat tre gola, por humbet shumë raste në pjesën e parë…
Sot pas ndeshjes ndihem shumë i lumtur që shënova tre gola. Ishin shumë të rëndësishëm për mua personalisht, por edhe për skuadrën që mori 3 pikët. Më shqetëson nëse rastet mungojnë, jo nëse i humbas, pasi në rastin e dytë, punoj shumë për t’u përmirësuar.
- 5 gola në dy ndeshje, a është ky sprinti i duhur final?
Mundohem të punoj dhe të jap më të mirë. Jam shumë i kënaqur dhe punoj gjithmonë të jap më të mirë për skuadrën, ndërsa më pas puna shpërblehet edhe me golat dhe lojën e mirë.
- A do të qëndroni vitin tjetër te Skënderbeu?
Nuk di asgjë për kontratën, e di që jam këtu i huazuar dhe në fund do të kuptoj se çfarë do të ndodhë. Jam i përqendruar të bëj më të mirën deri në fund të sezonit.