Trajneri i Skënderbeu, Ilir Daja dhe një herë tjetër theksoi për “Supersport” se ai dhe skuadra mendojnë vetën për ndeshjen me Laçin pasi llogaritë në kampionat i kanë mbyllur.
Tekniku bardhekuq theksoi se lojtarët e rinj po japin sinjale pozitive dhe disa prej tyre janë pranë formacionit.
LOJTARËT E RINJ – “Lojtarët që luajtën sot e treguan sërish se kanë cilësi dhe nuk janë rastësisht pjesë e Skënderbeut. Sot luajtëm pa shumë titullarë, Luftëtari kishte motivim më të madh se ne, por mora informacion mbi disa lojtarë që mund të afrohen me formacionin të cilat dhanë sot sinjale pozitive. Për ne ishte një ndeshje që nuk kishte rëndësi, duam të fitojmë kupën dhe të festojmë.
KUPA – “Po u zbuloj diçka: Unë jam nisur veçmas skuadrës dhe tashmë jemi përqendruar totalisht te Kupa. Sot paradite zhvillova përgatitjet me lojtarët titullarë dhe më pas u nisa drejt Gjirokastrës. Duam ta fitojmë patjetër këtë trofe dhe do ishte mbyllja perfekte e këtij sezoni fantastik. E meritojnë tifozët e Skënderbeut dhe qyteti i mrekullueshëm i Korçës. Pa diskutim që është edhe një ambicie personale, sepse nuk e kam fituar kurrë kupën, ndaj ka ardhur koha që ta fitojmë këtë trofe dhe t’ia sjellim për herë të parë Korçës, që e meriton, ashtu si ne”.