Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, buzëqesh me të drejtë, sepse skuadra e tij luajti mirë, krijoi raste, shënoi 4 gola dhe nuk vuajti asnjëherë ndaj Laçit. Megjithatë, trajneri i korçarëve nuk mund të ndalet vetëm te futbolli i luajtur, sepse është edhe çështja Skënderbeu në qendër të vëmendjes.
– Sërish fitore, sërish dominim dhe duket se ky Skënderbe nuk ka rival.
– Përveç dygolëshit të Souesë në dy ndeshjet e fundit, apo golit të Krasniqit sot, e rëndësishme ishte që e nisëm ndeshjen në mënyrën më të mirë të duhur, duke sulmuar që në fillim dhe duke dominuar ndaj kundërshtarit, me ekuilibër të mirë. Më vjen mirë që rritet rivaliteti brenda ekipit, pasi edhe lojtarët si Nimaga e Dita dhanë maksimumin dhe treguan se e meritojnë fanellën e titullarit. Lojtarët që e meritojnë, do të mbajnë fanellën e titullarit. Sot luajtëm mirë, bëmë pak gabime, djaj një kundërshtari që luan shumë mirë futboll dhe që jo rastësisht është aq lart në renditje.
– Si motivohet skuadra, në një moment si ky, kur flitet kaq shumë për dënimin që ka kërkuar UEFA?
– Është një element shumë i rëndësishëm që lojtarët me më shumë eksperiencë në ekip ndihmojnë stafin që të gjejnë motivimin e brendshëm dhe kur ndodh kjo, motivimi është më i fuqishëm. Ky është çelësi i suksesit.
– Çështja Jashanica, çfarë është bërë nga klubi?
– Zyra juridike e klubit po e ndjek çështjen, për të bërë ç’është e mundur që Jashanica të marrë minimumin e dënimit, sepse UEFA e ka bërë të qartë cilat medikamente lejohen dhe si përdoren. Dua të them vetëm që nuk është faji i Jashanicës, jam i bindur se është i pafajshëm.
– Skema, nuk është përdorur asnjëherë ajo me 2 sulmues, përse?
– Për të aplikuar disa skema duhen lojtarët e duhur, unë nuk i kam pasur asnjëherë. Karakterisitikat e disa lojtarëve nuk e bëjnë të mundur të kalojmë me skemën 4-4-2, që më pëlqen personalisht, ndaj kemi zgjedhur skema të tjera, por nuk do të thotë që nuk do ta tentojmë në të ardhmen.