Fidan Aliti ka folur për mediat një ditë përpara transfertës në Lushnjës, takim mjaft i rëndësishëm drejt objektivit titull.
“Skënderbeu është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe kemi bërë dhe do të bëjmë edhe në këtë ndeshje ndaj Lushnjës diferencën si në fushë, por edhe me rezultat. Sa për trofeun të fitojmë ne ndeshjen tonë të mërkurë në Lushnjë dhe më pas do të presim nëse do të zyrtarizohemi si kampionë Kukësin, ekip që luan pasi të kemi përfunduar ne.”, tha ndër të tjerash Aliti.
Ja dhe intervista e plotë e Fidan Alitit një ditë përpara Lushnjës:
- Aliti së pari nesër drejt Lushnjës. Për të kurorëzuar titullin kampion?
– Besoj që po. Gjithsesi nuk është vetëm në dorën tonë këtë herë, por varet edhe nga ndjekësi ynë më i afërt Kukësi, se si do ta mbyllin edhe ata ndeshjen e tyre në Durrës. Ne do të bëjmë punën tonë dhe do të shkojmë në Lushnjë vetëm për fitore.
- Duket e lehtë kjo ndeshje në letër. Do të thotë që Skënderbeu fiton pa probleme nesër në “Roza Haxhiu”?
– Nuk mund të them që do ta fitojmë këtë ndeshje pa probleme. Ne jemi favoritë në këtë ndeshje dhe nuk nuk diskutohet. Por në fund të fundit jemi ekipi më i mirë në Shqipëri dhe kemi bërë dhe do të bëjmë edhe në këtë ndeshje diferencën si në fushë, por edhe me rezultat.
- Nëse edhe Kukësi humbet që nesër shpalleni zyrtarisht kampionë. Jeni I emocionuar për këtë?
– Kukësi luan pas nesh në orën 19:00, kështu që ne do të mbyllim së pari ndeshjen tonë dhe pastaj do të ulemi të presim edhe ndeshjen e tyre, për të mësuar do të jemi që në këtë javë kampionë, apo do të duhet të presim fundjavën.
- Keni muaj të tërë që e keni “blinduar” repartin e prapavijës duke qenë në qendër të saj, për arsye edhe të mungesës së Jashanicës. Sa mund e djersë është dashur për të zënë vendin e titullarit?
– Jashanicën e kam mik dhe i uroj padiskutim më të mirat. Por nuk kam zënë vendin e tij, sepse ne shumë herë kemi luajtur edhe bashkë me Jashën. Kur ka konkurencë në skuadër gjithmonë kjo i bën mirë një lojtari dhe te Skënderbeu ndjehem me plot gojë më shumë se mirë.
- Aliti, Skënderbeu i fiton të dy trofetë këtë sezon?
– Unë them se po. Por, të mbyllim njëherë titullin kampion dhe më pas të mndojmë dhe të flasim për finale e Kupës së Shqipërisë.
- Këto dy javë të fundit keni pësuar dy humbje. Përse?
– Me Kukësin e them troç që ishim të pafat në shtëpinë tonë dhe pësuam një gol në fundin e ndeshjes, ndërkohë që në Laç pak ditë më parë nuk e di as vetë se ç’farë ndodhi. Gjithsesi t’i harrojmë këto ndeshje dhe të përqëndrohemi maksimalisht që të bëjmë më të mirën dhe t’i mbyllim me kokën lart këto javë të fundit.
- Për Fidan Alitin cila do të jetë e ardhmja pas qershorit?
-Unë kam edhe një vit kontratë me Skënderbeun dhe mendoj dhe jetoj 100% vetëm për Skënderbeun.
- Së fundi, keni luajtur në Zvicër, Moldavi, Kroaci dhe Shqipëri? Si do ta vlerësonit superligën shqiptare?
– Në superligën shqiptare, janë 3-4 skuadra me shumë kualitet dhe këtë e them me bindje të plotë. Por, Skënderbeu është shumë më lart se gjithë të tjerët. Nuk krahasohet Skënderbeu me askënd, ne jemi një skuadër vërtet europiane.
I pyetur mbi mardhëniet miqësore brënda grupit bardhekuq, Aliti do të përgjigjej: “Jemi një grup i shkëlqyer, por dua të them se jemi edhe një grup i vogël kosovarësh këtu te Skënderbeu. Bashkë me Jashanicën, Abazin, Gavazaj, ja kalojmë vërtet bukur. Ky grup që ka Skënderbeu është vërtet shembull”.