Skënderbeu ringrihet, tripletë në Vlorë

Kur bëhet fjalë për kampionatin muzika ndryshon.

Skënderbeu hakmerret në mënyrën më të bukur të mundshme ndaj Flamurtarit për atë humbje që pësoi pak ditë më parë në Korçë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj vlonjatëve.

Gjithçka shumë e thjeshtë për skuadrën e Dajës që fitoi me rezultatin e thellë 0-3 brenda në Vlorë në supersfidën që mbylli javën e 28-të të Kategorisë Superiore. 2 humbjet radhazi ndaj Vllaznisë në kampionat dhe Flamurtarit në Kupë, janë një kujtim i largët tashmë për korçarët të cilët e çuan sërish në +12 pikë avantazhin ndaj Kukësit ndjekës në renditje duke vendosur praktikisht njërën dorë tek titulli.

Sfida në Vlorë u zhbllokua pas vetëm 30 sekondash falë treshes Vangjeli-James-Sowe, me sulmuesin nga Gambia që e pati thjeshtë një lojë fëmijësh dërgimin e topit në rrjetë. Nuk vonoi shumë dhe Skënderbeu gjeti edhe golin e dytë këtë herë me mesfushorin Bruno Dita që realizoi një gol të bukur për meritë edhe të dyshes Muzaka-Sowe.

Reagimi i Flamurtarit ishte i vakët me vlonjatët që nuk kishin forcën e mjaftueshme për të rrezikuar portën e Skënderbeut.

Fitoren e skuadrës së Dajës e vulosi Gavazaj në fillimin e pjesës së dytë me këtë të fundit që vllazoi mes mbrojtësve të Flamurtarit duke realizuar një supergol. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Skënderbeun që vazhdon marshimin drejt titullit, ndërkohë vlonjatët në krahun tjetër e shikojnë veten në një krizë të thellë në kampionat, teksa numërojnë vetëm 2 pikë në 8 ndeshjet e fundit, me ekipin e Duros që nëse vazhdon me këto ritme papritur mund të përfshihet në zonën e rrezikut.

KATEGORIA SUPERIORE

Flamurtari 0-3 Skënderbeu

Shënues: Soue 1′, Dita 12′, Gavazaj 48′

Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta (Zuka 74′), Useini, Sidibe, Hoxhaj (Nedjelkoviç 46′), Muarem, Danilo Alvesh, Kamara. Trajner: Shpëtim Duro. (Të gatshëm: Sali, Veliu, Hyseni, Deliaj, Tunkara).

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Osmani (Vila 64′), Muzaka, Dita (Nimaga 58′), Gavazaj (Sahiti 72′), Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja. (Të gatshëm: Dajsinani, Abazi, Krasniqi, Demte).

Gjyqtarë: A. Beqiri, A. Shkreta, K. Cjapi, A. Kociaj.

Kartonë të verdhë: Useini 87’/ Vangjeli 23′

1′ GOL SKËNDERBEU! Pasim fantastik i Vangjelit për Xhejms, i cili pason në krahun tjetër për Souenë, aty ku sulmuesi i Skënderbeut me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë që të realizojë golin e avantazhit, pa u mbushur ende 1 minutë lojë.

12′ GOL SKËNDERBEU! Muzaka avancon bukur nga e djathta dhe pason në anën tjetër, nuk e prek askush topin, i cili shkon te Dita në dalje të zonës, me mesfushroin që tenton me të parën dhe mposht për të dytën herë portierin Nurkoviç.

48′ GOL SKËNDERBEU! Fitorja e Skëndebreut po kthehet në shpartallim për Flamurtarin. Gavazaj merr një top në mesfushë, kalon në mënyrë fantastike Bicajn dhe shënon një gol të bukur, duke dhuruar spektakël në zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.