Skënderbeu është rikthyer tek fitorja pas humbjes së pak ditëve më parë në Durrës, teksa ka mundur Kukësin në shtëpi me rezultatin minimal 1-0. Të besuarit e Orges Shehit ju falë një goli të Nazmi Gripshit, i cili i dha avantazhin skuadrës së tij që në pjesën e parë.
Skënderbeu pavarësisht ndryshimeve të shumta që ka bërë nuk “harroi” se është kampioni në fuqi, por i dha një sinjal të qartë të gjithëve se edhe këtë edicion do të pretendojë titullin.
Ndeshja nisi mirë për vendasit që për minuta të tëra dominuan dhe u shpërblyen pak pasi ishte mbushur çerek ore lojë. Muzkaka harkoi nga e djathta, në shtyllën e dytë Gripshi ishte harruar nga mbrojtja kuksiane dhe 21-vjeçari nuk e pati aspak të vështirë që të shënonte.
Skënderbeu nuk e uli ritmin, pasi kishte mundësinë sërish të shënonte sërish. Pas një depërtimi nga e djathta, Zguro humbi ekuilibrin dhe preku topin me dorë brenda zone. Meta akordoi 11-metërsh dhe Muzaka e mori vetë përsipër ekzekutimin, por gaboi duke e nxjerr topin jashtë. Në fraksionin e dytë Kukësi nisi që të reagonte disi, por nuk mundi që të gjente golin, edhe pse ngacmoi më shumë. Juglindoren po ashtu ishin të qetë dhe kontrolluan gjithçka me shuam kujdes deri në fund.
Skënderbeu parakalon në renditje Kukësin dhe Laçin e tani shkon në kuotën e 14 pikëve, vetëm 2 më pak se Partizani kryesues. Ndeshja e ardhshme për Skënderbeun do të jetë ajo me Luftëtarin të dielën në Gjirokastër.
Kategoria Superiore – Java 7
E enjte, më 4 tetor, ora 17:45
Skënderbeu 1-0 Kukësi
Shënues: Gripshi 16′