Trajneri i Skënderbeut Orges Shehi, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, nuk e fshehu kënaqësinë e fitores minimale 1-0 ndaj Kukësit, rezultat që i ngjit korçarët në vendin e dytë.
Një fitore me peshë, ndaj një rivali direkt. por edhe shumë raste të humbura që mund t’ju kushtonin…
Një fitore me vlera, që vjen në një moment jo të mirë, për sa i përket rezultateve. Një fitore që të mbush me besim dhe të bën optimist. Kemi qenë shumë mirë sidomos në fazën mbrojtëse. Përveç disa minuta që u tërhoqëm shumë, ndonëse nuk duhet të tërhiqeshim.
Si ju është dukur penalltia e fituar nga Muzaka?
Nuk merrem me këtë gjë. Mos prisni koment për gjykimin nga ana ime.
Nuk është e thjeshtë ta karikosh ekipin pas humbjes ndaj Teutës. A e kishit studiuar kundërshtarin që e goditët në krahun e majtë?
Në çdo ndeshje, çdo rival e studiojmë. Jo më kot kemi bërë shumë ndryshime. Bregu e filloi në krahun e kundërt. Në pikat e forta duhet të tregosh kujdes, në pikat e dobëta duhet ta sulmosh.
Në 20 minutat e fundit i latë më shumë terren Kukësit. Partizani apo Kukësi, cila skuadra të shqetëson më shumë?
Ndoshta ndikoi ana fizike në tërheqjen e skuadrës. Nuk ishte strategji, vetë loja të çon në ato situata. Po na sulmonin nga krahu i majtë, për këtë arsye e ndërrova Bregun. Për sa i përket objektivave, ne do të kemi objektiv vetëm ndeshjen e radhës. Kampionati është një maratonë. Jo vetëm Partizani dhe Kukësi, por edhe skuadrat e tjera janë shumë pranë dhe janë një rrezik.