Trajneri Orges Shehi, në një intervistë për “Supersport”, tregon argumentat për ato rezultate të dobëta nga Skënderbeu, si edhe komenton situatën e grupit.
FUNDI I VITIT – “Do të donim që kampionati të ndërpritej pak më shpejt, sepse vinim pas një goditjeje psikologjike të skuadrës. Jemi ndëshkuar atëherë kur kemi luajtur më mirë. Dhjetori ishte një muaj i mallkuar për ne dhe besoj se e kemi kaluar. E kemi nisur vitin me energji pozitive. Nuk kemi çaluar në aspektin fizik, por na kanë penalizuar edhe mungesat për arsye kartonësh.”
MERKATO – “Kemi qenë në kontakte me futbollistë këtë periudhë, sepse kemi nevojë për afrime. Ne kemi pikëtuar dy lojtarë dhe po presim dita-ditës të firmosin. Shpresojmë që tratativat të mbyllen.”
KAS – “Jemi shkëputur disi nga kreu, por nuk do të heqim dorë nga lufta për t’u ngjitur sa më lart. Sigurisht që çështje të tilla mund të ndikojnë në psikologjinë e skuadrës. Kur të merret vendimi do të jetë fundi i sezonit dhe Skënderbeu do të jetë besoj në pozicionet më të larta. Shpresojmë që sezonin e ardhshëm të luajmë sërish në Europë.”