Pasi pushoi në fundjavë, Skënderbeu do të zbresë nesër pasdite në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi” për t’u përballur me partizanin kryesues. Në një intervistë për Supersport, trajneri Orges Shehi pranoi se ka rikuperuar të dëmtuarit dhe se gjendja e skuadrës është e mirë.
Një ndeshje shumë e rëndësishme, që vjen pas një pauze njëjavore…
Është një ndeshje që ka gjithçka brenda, kënaqësinë, emocionin dhe gjithçka që prodhon një përballje mes dy rivalëve që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar në vitet e fundit. Sa u përket problemeve në kampin e kuq, unë them se të gjithë skuadrat kanë probleme, por besoj se do të jetë shumë e vështirë si ndeshje.
Mendoni se është më mirë që po përballeni me një Partizan në një moment jo optimal?
Do të më vinte mirë që skuadra ime të jetë 100% nesër. Të tregojë në fushë të njëjtën ego dhe dëshirë si në ndeshjet ndaj Teutës dhe Kukësit.
Si është situata në skuadër, krahasuar me ndeshjen ndaj Luftëtarit?
Atje kishim 3 mungesa, si Radas, që ishte në Kroaci, Sibo i dëmtuar dhe Abazaj i pezulluar. Pas ndeshjes me Luftëtarin, kanë shfaqur shqetësime edhe Muzaka, Vangjeli dhe Dita, por që kanë arritur të rikuperohen, ashtu si edhe Sibo. I vetmi shqetësim është Taipi, që vijon të jetë jashtë grupit, ndërsa për pjesën tjetër mund të them se jemi në rregull.
A do të luajë Radas nesër?
Është pjesë e skuadrës, por formacionin do ta bëj nesër dhe sot nuk mund të them asgjë.
Deri ku mund të shkojë Skënderbeu?
Unë mendoj se ne po dhamë 100%, mund të shkojmë shumë larg. Në situata të ndryshme, nuk kemi qenë në maksimum, por po bëmë më të mirën, mund të përsëritim rezultatet e fazës së parë.
A është Kupa një trofe që ju tërheq?
Nuk mund të them të kundërtën, pasi jemi fituesit në fuqi dhe do të luftojmë për ta mbrojtur.
Jemi në muajin Prill, ku veshët janë në Zvicër, nga KAS-i…
Është një çështje që na ka zgjatur pak si shumë. Jemi munduar që skuadrën ta mbajmë larg kësaj situate, pasi është një çështje që i përket studios tonë ligjore dhe njerëzve të tjerë në klub. Besoj se do të arrijmë të marrim pafajësinë dhe të vijojmë rrugën që kemi nisur para disa viteve.