Orges Shehi u bind të vazhdonte të luante edhe këtë sezon me Skënderbeun dhe bëri shumë mirë, për veten dhe për ekipin. Ai ishte një faktor shumë i rëndësishëm në suksesin europian të ekipit korçar, por edhe tani në kampionat. Vitet kalojnë, por portieri dhe kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, vazhdon të mrekullojë me vlerat e tij sportive dhe njerëzore. Këto të fundit i tregoi qartë në ndeshjen e fundit të vitit 2017, kur bëri dy dhurata simbolike për shokët e ekipit. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Shehi tregon…
– Shehi, po mbyllim vitin 2017, a mund ta quajmë më të suksesshmin për ju si lojtar?
– Sigurisht që po. Jam i të njëjtit mendim, sepse sidomos pjesa e dytë e këtij viti, ka qenë një ndër më të bukurat. Më e lodhshmja, por më ka dhënë një sadisfaksion vërtet të jashtëzakonshëm. Madje, nga të gjitha anët. Nuk kam fjalë si ta përshkruaj këtë vit që po lëmë pas, pasi ishte plot me suksese.
– Edhe 6 muaj deri në fund të karrierës suaj sportive, pasi keni thënë se do t’i hiqni dorezat në fund të sezonit, apo jo?
– Personalisht, nuk dua që të përqendrohem tek e ardhmja ime, sepse më i rëndësishëm është Skënderbeu. Nuk di se çfarë të them. Ka kohë deri në fund të sezonit, por besoj se është i fundit. Në fund të sezonit të kaluar ishte presidenti Takaj, i cili më kërkoi të vazhdoja dhe ja plotësova dëshirën, ndërsa pas majit do të jetë mendoj fundi i karrierës sime sportive.
– Ju ka mbetur ndonjë “peng” nga kjo karrierë e gjatë sportive, sepse me Skënderbeun i keni fituar thuajse të gjitha?
– Gjatë karrierës sime sportive kam fituar gjithçka, arritjet i kam të shumta, që nga trofetë e deri te pjesëmarrjet në Europë. Nuk kam asnjë peng. Përveç atyre sukseseve të jashtëzakonshme në fushë, “qershia mbi tortë” ishte titulli “Dr.Honoris Causa”. Më mirë se kaq nuk kishte si të shkonte.
– Skënderbeun pretendon grupet e Championsit. Mos doni të jepni edhe ju një dorë para lamtumirës?
– Skënderbeun nuk e kam lënë asnjëherë në “baltë”, sepse të tilla janë marrëdhëniet me drejtuesit e këtij klubi, në mënyrë të veçantë me presidentin Ardjan Takaj. Një nga arsyet që nuk e lashë futbollin përpara 6 muajsh, ishte presidenti. Sa për Championsin, kjo skuadër është ndërtuar për të qenë pjesëmarrëse në evente madhore. Këtë sezon kemi treguar se jemi atje ku duhet dhe kështu do të vazhdojmë deri në fund.
– Do ta shijojë Shehi edhe këtë gjysmë sezoni te Skënderbeu?
– Jam i idesë që kur të jem në maksimumin tim, do ta lë futbollin. Ka një shprehje që thotë: Futbollin ta lësh kur të jesh në majë dhe jo kur të të lërë futbolli. Do ta shijoj pa diskutim shumë, do të punoj me të njëjtin preokupim, ashtu siç kam punuar edhe në hapat e parë, me shumë dëshirë. Nuk ka asnjë ditë pushim për Shehin deri në fund, edhe pse jam në këtë moshë.
– Në ndeshjen e fundit i keni bërë një dhuratë simbolike Radasit, të cilit i dhatë shiritin e kapitenit. Pse e bëtë atë veprim?
– Duke pasur shumë vite te Skënderbeu mbi supe, mendova se Marko Radas duhet të mbante shiritin e kapitenit. Doja t’i tregoja se çfarë vlerësimi ka nga unë dhe nga klubi. Edhe Marko ka shumë vite në këtë skuadër dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që kam pasur me të, më shtynë për të bërë vatë gjë. Skënderbeu është një familje e madhe. Nuk e di, nëse Marko ka mbetur i kënaqur me këtë veprim, por ashtu e mendova dhe ashtu bëra.
– Po ndërrimi që bëtë në minutat e fundit me portierin Aldo Teqja, ishte një tjetër “dhuratë”?
– Nëse unë si Orges Shehi do t’i besoj një portieri të ri dhe të talentuar, ai është Aldo Teqja. Më ngjan shumë kur isha në hapat e para të karrierës sime sportive, ndaj dhe vendosa të kryeja atë ndërrim. Isha vetë që e kërkova në momentet e fundit të ndeshjes që Teqja të më zëvendësonte. Këto ishin dy dhuratat e mia në këtë fundvit.
– Së fundi një urimi i Orges Shehit në këto ditë të fundit të vitit?
– Urimi shkon për gjithë shqiptarët. Edhe pse ka qenë për ta një vit i lodhshëm, i suksesshëm, ndoshta për disa edhe zhgënjyes, viti i ardhshëm t’i gjejë me sa më shumë begati në familjet e tyre. Dhe, urimin më të madh do ta bëja për familjen e madhe me emrin Skënderbe. Të ketë vetëm suksese vitin e ardhshëm. Gëzuar të gjithëve.