Orges Shehi është zyrtarisht trajner i Skënderbeut. Presidenti Ardjan Takaj ka prezantuar sot para mediave ish-kapitenin si trajnerin e ri bardhekuq.
Në fjalën e tij para mediave, presidenti Takaj prezantoi fillimisht trajnerin dhe më pas analizoi situatën në klub, merkaton, objektivat dhe përballjen me UEFA-n.
Ardjan Takaj: Jemi sot këtu mbas një viti shumë të suksesshëm. Jo vetëm për ne por të gjithë e dinë se e mbyllëm mirë. Jemi për fillimin e sezonit të ri që vjen me ndryshime. Po prezantojmë sot Orges Shehin si trajnerin e ri të ekipit që ka dhënë shumë për fanelën e Skënderbeut dhe do të vijojë të japë ende. Kemi besimin tek Shehi për një rrugë sa më të suksesshme.
Cfarë vështirësish keni?
Jemi një ekip i madh dhe kemi një betejë të madhe me UEFA-n. Kjo betejë nuk ka filluar sot dhe lufta jonë është në dy drejtime. Kemi arritur objektivat që kemi pasur qëllim. Jemi në pritje të një gjyqi pozitiv si fitorja më e madhe e Skënderbeut.
Si ndryshon buxheti i ekipit këtë sezon?
Problemi nuk është tek buxheti por tek vazhdimësia e jonë. Ne buxhetin e kemi siguruar vetë dhe kemi prodhuar të ardhura për të ardhmen më të suksesshme.
Cfarë do të ndodhë me lojtarët që janë pa kontrata?
Ne jemi në ndërtim për sezonin e ri dhe do të jenë pjesë ata lojtarë që do Skënderbeu të ketë pjesë të sezonit të ri. Jemi në një garë që do të bëjmë të pamundurën për të fituar sërish titullin kampion. Edhe vjet dolëm të tretët por bëmë një aventurë super në Europë.
Kjo do të thotë se objektivat nuk kanë ndryshuar për Skënderbeun?
Vetëm emri i Skënderbeut po të futët në fushë e ka objektivin e qartë. Prandaj çdo lojtar që vjen tek ne e di fort mirë së hyn në lojë vetëm për të fituar.
Largimi i Souesë, Xhejmsit, Lilajt, hezitimi i Osmanit, micit Muzakës Vangjelit, nuk ju bëjnë skeptikë?
Disa nga lojtarët e larguar kanë qënë në moshë dhe do të ndodhte një revoluzion i tillë. Megjithatë ne i kemi marrë masat. Kemi kontigjentin e duhur edhe sikur të mos hynim fare në merkato. Kemi potencialin për të përballuar këtë kampionat. Nëse jemi të suksesshëm vetëm në kampionat nuk bën asgjë. Europa të nge lart.
Muzaka, Osmani dhe Vangjeli presin përgjigje nga ju…
Ne jemi duke biseduar, po shohim gjërat me kujdes dhe ditët e ardhëshme do të kemi diçka më shumë.
Afrimet e reja cilat janë?
Afrime do të ketë në ditët në vazhdim. Ne jemi të hapur në merkato pasi duam të jemi sërish kompetitivë. Do të jemi të hapur dhe për merkaton në dalje pasi është mënyrë për të siguruar të ardhurat dhe ne kemi qënë të suksesshëm.
Pas prezantimit, trajneri Orges Shehi ka ndarë emocionet e para si trajner duke u shprehur se do të bëjë maksimumin për të shpërblyer besimin e klubit.
Orges Shehi Si ju duket pozicioni i ri në ekip?
Eshtë një pozicion ndryshe pasi kalon nga fusha në pankinë. Ndodhi pak shpejt por e morra me kënaqësi dhe do të jap maksimumin që të shpërblej vlerësimin e klubit. Unë e kam përsëritur që jeta ime është e lidhur me futbollin. Më pëlqen fusha dhe kjo është ajo që doja. Erdhi pak shpejt por nuk mund të thoja jo. Më ndihmon fakti që jam në brendësi të ekipit dhe kam vlerësimin dhe besimin e të gjithëve.
Kush do të jetë stafi juaj i ri?
Sigurisht që të jesh drejtues duhet të krijosh stafin. Edlir Tetova do të jetë krahu im i djathtë si zëvendës trajner dhe Gentian Liçi si asistenti im. Kosta Jani do të jetë përgatitësi atletik i ekipit dhe i përherëshmi Bozhiqi që është pjesë e pandarë e klubit.
Cilat do të jenë shtyllat që do të mbështetet ekipi i Shehit?
Kjo është domethënëse sepse çdo ekip e ka shtyllën kurizore të vetën. Ne e ekmi bazën dhe shtyllën kurrizore. Unë do të bazohem tek lojtarët me eksperiencë dhe ata do të jenë boshti i ekipit. Skënderbeu nuk ka funksionuar kurrë me gjeneralë. Unë kam një moto, të gjithë të rëndësishëm asnjë i pazëvendësueshëm.