Në prag të ndeshjes ndaj Flamurtarit, trajneri Daja është shprehur se ekipi do të kërkojë në Vlorë rikthimin tek fitorja
- Daja, dy humbje në dy takime. Si e keni parë situatën pas këtyre dy humbjeve që keni lënë pas?
– Janë dy humbje radhazi aq sa kishim bërë gjatë gjithë kampionatit. Dy humbje në kompeticione të ndryshme dhe kjo është disi më ndryshe. Por, janë dy humbje që kanë ardhur menjëherë pas vendimit të UEFA-s që shkaktoi jo pak probleme tek të gjithë ne, duke mos na lënë të ishim më të qetë si në fillim.
- Si e keni parë ekipin gjatë përgatitjeve në Tropikal?
– Të them të drejtën gjatë këtyre seancave që kemi zhvilluar në qytetin e Durrësit, ekipi ka qënë i përqëndruar më shumë dhe është dukur më i lirshëm. Por të shohim se si kjo qetësi psikologjike do të transmetohet edhe në fushën e lojës.
- Sa e vështirë është kjo ndeshje në Vlorë përballë Flamurtarit ditën e hënë?
– Është ndeshja e parë e fazës së katërt të kampionatit dhe duhet të them se kërkojmë që ta nisim mirë këtë fazë. Do të jetë një ndeshje delikate pasi Flamurtari vjen nga një ecuri jo fort e mirë në ndeshjet e fundit dhe do të kërkojë që të bëjë maksimumin në shtëpinë e vet për ta marrë rezultat pozitiv. Më shumë sesa kjo, mund të them se dy humbjet e para që vijnë si rezultat i ngarkesës psikologjike dhe kjo do të jetë një tjetër problem në këtë ndeshje, do të duhet për ne që ta kalojmë.
- Në këtë takim vetëm fitorja ju bën punë?
– Normalisht të thuash që një ekip si Skënderbeu kërkon rezultat tjetër është një diçka që nuk shkon. Unë e them me bindje se Skënderbeu shkon kudo dhe kërkon të marë maksimumin qoftë kjo një ndeshje në shtëpi apo në transfertë. Duhet të rikthehemi tek fitorja dhe do të mundohemi ta bëjmë realitet diçka të tillë duke filluar nga kjo ndeshje.
- Keni frikë se mund të rihapet kampionati pasi fitorja e Kukësit e çoi diferencën në +9?
– Le të flasim pa “dorashka”. Jemi në vendin e parë dhe kemi një diferencë të mirë me ndjekësit. Në tre faza jemi përballur me secilin prej tyre nga tre herë dhe kemi dominuar duke marrë 2 fitore e 1 barazim me cilindo nga ndjekësit. Të thuash që kampionati u rihap, nuk besoj se është gjetja e duhur. Vetëm Skënderbeu mund të humbasë këtë kampionat pasi gjithçka e ka në dorë e vet.