Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u shpreh i lumtur për 3 pikët ditën e sotme ndaj Kamzës, por i pakënaqur nga ekipi i tij për sa i përket lojës së shfaqur. Gjithsesi, ai i mëshoi faktit se era ishte një faktor që ia bëri të vështirë ekipit të tij paraqitjen sot.
– Fitorja e dytë radhazi, te Skënderbeu u riktheu qetësia…
Këto qëndrojnë. Era e fortë sot nuk bëri të mundur të dilnim tek loja jonë, me qarkullimin e topin. Kundërshtari na vuri në vështirësi sot. Goli i dytë i barazimit, ishte ndalesë fair play nga lojtarët tonë. Do e përmendnim më shumë nëse do kishim rezultat tjetër, por rëndësi kanë 3 pikët.
– Tani deri në fund Skënderbeu triumfues?
Besojmë se diferenca e pikëve që kemi, na ka dhënë një qetësi nga ana psikologjike, por në momente të caktuara, ekipi nuk është në motivimin maksimal. Kemi bërë 2 gola, një me pak shans edhe prej erës, dhe më pas pashë nga ekipi që e menduan ndeshjen të fituar. Me këtë erë që kishte sot, nuk mund t’i kërkohej më shumë lojtarëve, pasi kontrolli i topit ishte i vështirë.
– Sot rrezikuat shumë, dhe mund të përfundonte ndeshja në barazim…
Jam dakord, pasi në golin e parë na ndihmoi era. Në aspektin e ndërtimit të aksioneve, ndaj një kundërshtari që na pret në fushën e vet, era të pengon. Do vinte edhe një fitore me lojë jo të mirë. Sot nuk jam shumë i kënaqur nga lojtarët e mi, por rëndësi ka që 3 pikët na mbajnë në distancë.
– Pas vendimit të CAS-it , pamë një gëzim të skuadrës dhe ambientit korçar. A është e rrezikshme kjo dozë euforie në këtë momente?
Edhe si në rastin e parë, që ndikoi ndaj Vllaznisë, edhe sot, ne nuk duhet të ndikohemi me problematikën që kemi me UEFA-n. Ne nuk jemi për të mbrojtur në këtë lloj drejtimi, por për ta mbrojtur në objektivat tona në fushë. Euforia apo stresi i shtuar, ndikon negativisht. Duhet të bëjmë atë që kërkojnë tifozët, që përveç fitoreve, të dominojmë edhe me lojë.