Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke e cilësuar si një provë të fortë karakteri, teksa tha se do të synojnë t’i çojnë të dy trofetë në Korçë.
A ishte kjo një përgjigje e fundit për cilësinë dhe karakteri ne skuadrës që ti drejton?
Padiskutim që kjo ishte një tjetër fitore karakteri, teksa u kualifikuam pasi vlerësuam maksimalisht kundërshtarin. Në të gjithë rrugëtimin tonë ne nuk kemi humbur asnjë ndeshje në shtëpi, por humbëm herën e kaluar ndaj Flamurtarit. Elementi kryesor i këtij Skënderbeu është që nuk dorëzohet para çdo lloj rezultati dhe para çdo lloj kundërshtari, pasi i respektojmë ata dhe ndaj sot shkuam edhe në finale.
A është një stimul më shumë edhe për ju, që të fitoni Kupën?
Objektivi ynë i parë ishte fitimi i kampionatit, ndërsa i dyti është Kupa. Unë kam qenë dy herë në gjysmëfinale dhe njëherë në finale personalisht, por mendoj se jemi në rrugën e duhur për t’i çuar të dy trofetë në Korçë, ai qytet dhe ajo tifozëri e mrekullueshme, i meriton këto triumfe.
Në finale me Laçin. Jeni i kënaqur, apo do të donit Kukësin?
Të gjitha skuadrat që erdhën deri në këtë pikë të sezonit, kanë dhuruar paraqitje mjaft të mira, ndaj nuk është se kam preferenca specifike. Do të diskutojmë trofeun me Laçin dhe jam i kënaqur, pasi do të synojmë triumfin.
Si e sheh të ardhmen e Shehit?
Ai është kapiteni i skuadrës dhe sot më dha një dorë më shumë në stol, pasi arriti të përçojë më shumë grintë dhe motivim në skuadër. Shehi ka qenë gjithë kohës dhe është gjithmonë pjesë e stafit, por duam ta lëmë akoma në fushë, pasi ka ende për të dhënë.
Një koment për dorëheqjen e Duros…
Më vjen keq, pasi e kam koleg, por edhe shumë mik. Dihet vështirësia për të drejtuar në futboll, por unë nuk mendoj se duhet të shkohet direkt te dorëheqja, pasi kur fitorja dhe humbja është përgjegjësi kolektive.
Në fund të fjalës së tij trajneri Daja ‘shigjetoi’ dhe ata pak gazetarë ose media që paragjykuan një marrëveshje të mundshme mes klubeve: ‘Kam edhe një apel për ato media që hodhën baltë dhe aluduan për marrëveshje mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, pas humbjes në Korçë. Nëse janë burra, sot duhet të dalin dhe të kërkojnë falje publike, për të qenë korrektë’