Trajneri Ilir Daja dhe mesfushori Sabjen Lilaj dolën sot në Konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Young Boys ku analizuan takimin e fundit të ekipit bardhekuq në Europa League.
Ilir Daja: “Duke parë pozicionet e ekipeve nuk kemi pretendime për shkak se çështja e kualifikimit është zgjidhur tashmë. E rëndësishme për ne është të vijojmë me rezultatet pozitive por dëshirojmë të promovojmë dhe disa lojtarë të rinj, të kondicionuar dhe nga mungesat e shumta”
MOTIVIMI – “Edhe pse nuk ka shanse kualifikimi vijmë në këtë ndeshje 100 % të motivuar. Duhet ta mbyllim sezonin europian pozitivisht ashtu siç edhe e kemi filluar. Skënderbeu ka luajtut si i barabartë me të gjithë. Duhet të jemi 100% të motivuar për të mbajtur ritmin e treguar në këtë sezon si në kupat e europës por edhe në kampionat”
KUALIFIKIMI PENG – “Mund të them që takimin në Beograd nuk meritonim ta humbisnim. Por edhe në ndeshjet e luajtura në Shqipëri mund të merrnim më shumë por u kondicionuam nga dëmtimet. Nuk kam çfarë ju kërkoj më shumë lojtarëve, kemi arritur diçka të madhe deri këtu”.
ÇELSI I SUKSESIT – “Çelsi i suksesit është padiskutim bashkëpunimi duke nisur nga presidenti, tek lojtarët dhe stafi administrativ i klubit. Elementi më i fortë është shpirti i skuadrës. Kemi mentalitet fitues”.
Sabjen Lilaj: “Jemi shumë të kënaqur me rendimentin e treguar dhe arritjet në europë. Jemi të motivuar pasi luajmë për të rritur koenfiçentin dhe për premion. Nuk është vetëm Lilaj i rëndësishëm, tek Skënderbeu të gjithë janë të tillë, unë mundohem të jap më të mirën. Ndjehemi të lodhur sigurisht por e kemi menaxhuar në menyrën më të mirë të mundshme”.