Skënderbeu mori një tjetër 3-pikësh duke shkuar i qetë drejt titullit kampion, që tashmë është shumë pranë. Me shumë mungesa dhe me shumë vuajtje, korçarët dolën sërish triumfatorë ndaj një Partizani që entuziazmi nuk i mjaftoi.
U duk se po luanit për barazim, por në fund morët 3 pikë me mjaft vlerë…
Kemi bërë gati 50 ndeshje dhe së fundi 3 shumë të forta, ndaj lodhja është prezente. Sot na u shtuan edhe mungesat, që na detyruan të lëvizim edhe lojtarët në pozicione jo natyrale, por na vjen mirë që fituam edhe këtë përballje, pasi tani jemi 99% kampionë të Shqipërisë. Nuk do të ulim ritmin gjithsesi, pasi duam të marrim edhe Kupën e Shqipërisë.
Pse nuk preferuat një sulmues të mirëfilltë nga minuta e parë?
Sigurisht që Krasniqi, por edhe Gripshi e Sahiti, mund ta nisnin të 3 nga fillimi, për të mos bërë spostime lojtarësh, por duke parë se kishim të bënim me një ndeshje të ngarkuar, por nuk doja t’i vija në pozita të vështira psikologjike, pasi janë lojtarë të rinj dhe duhet t’i integrojmë gradualisht.
Sa e vështirë është për të menaxhuar ndeshjet e mbetura dhe për të shmangur polemikat?
Na lini të gëzojmë për fitoren e sotme dhe t’i marrim gjërat me radhë pastaj. Jemi lodhur me këto paragjykime, pasi janë disa media, që aludojnë vazhdimisht. Sigurisht që unë nuk do t’i shkatërroj lojtarët, për të mbyllur paragjykimet, pasi do t’i jap mundësi edhe lojtarëve të rinj. Tani dua që të festojmë faktin që jemi thuajse kampionë dhe të flasim në momentin e duhur.
A do të kërkoni ta mbyllni kampionatin me Kukësin?
Unë do mundohem të integroj disa lojtarë të rinj, duke filluar që nga ajo ndeshje. Do të ishte mrekulli që ta mbyllnim këtë javë, por gjithsesi të shohim, pasi duhet të llogaris forcat, sepse na pret edhe finalja e Kupës.