Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, përtej fitores së arritur ndaj Partizanit, ka rezerva për gjykimin. Gjithsesi, ai i kënaqet suksesit që shërben shumë për moralin e skuadrës në vazhdimësi.
“Duhej të djersinim shumë për të fituar, kishim përballë kampionët. Është evidente që ekipeve pretendente i kemi marrë po aq pikë sa na kanë marrë. Në ndeshjet e tjera duhet të jemi më të motivuar. Mund ta kishim mbyllur më përpara ndeshjen. Fitorja ndaj kampionëve ka një tjetër moral. Deri te kartoni i kuq loja ishte e barabartë, kishim raste të barabarta. Dalja e një lojtari ndikon në futbollin shqiptar. Në pjesën e dytë duhet ta kishim shfrytëzuar akoma më mirë superioritetin numerik. Gjërat mbyllen kur merr 3 pikët.”
Rastet e diskutueshme: Pollozhani ka humbur ekuilibrin nga shtyrja e sulmuesit të Partizanit. Mbrojtësit e bëjnë këtë veprim, nuk kanë kohë të mendojnë gjatë. Mendoj që është faull në favorin tonë, ka shtyrje të Solomonit, ky është mendimi im. Nëse shikohet moviola, ka një rast në favor të Skënderbeut dhe 15 kundër Skënderbeut. Nuk jam dakord me protestën e Ditës. Pavarësisht se është një sjellje jo e duhur e kapitenit, nuk është se e kishte vetëm nga ndeshja e sotme.
Ndërrimet e vona: Në stol të gjithë ishin të rinj, me pak minutazh. Lojën e kishim në avantazh dhe nuk po na rrezikonte kundërshtari, nuk doja dhe unë të rrezikoja dhe doja t’iu merrja maksimumin lojtarëve në fushë.
Skënderbe i fortë me të fortët: E kemi diskutuar edhe me grupin, deri te vendi i 6-të kemi 50 % të pikëve të marra. Kemi pasur probleme me Vllazninë.
Festa: Kur kam hyrë te dhomat e zhveshjes kam ulur euforinë, u kam thënë gëzoni, por për 3 ditë keni ndeshjen e radhës me Flamurtarin.