Skënderbeu bëri presing dhe dominoi gjatë gjithë pjesës së parë, duke mbyllur vendasit në gjysmëfushën e tyre. Korçarët krijuan edhe disa mundësi shënimi, por hasën në një portier të përgatitur si Selmani, që reagoi mjaft mirë. Në fillimin e pjesës së dytë, vendasit befasuan duke gjetur rrjetën menjëherë, me anë të fantazistit beratas, Myrto Uzuni, që mposhti Shehin.
Ky gol kapi të papërgatitur korçarët, që tentuan të marrin nën kontroll lojën, por laçjanët ishin të organizuar mirë në mbrojtje. Me kalimin e minutave, te Skënderbeu filloi të ndjehej edhe lodhja e shkaktuar nga Europa, ndërsa trajneri Daja u mundua të rifreskojë skuadrën duke hedhur në fushë Shkodrën, Lulajn dhe Sowe.
Laçi – Skënderbeu 1-0
Shënues: Uzuni 46′
Laçi: Selmani, Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Xhixha, Jonuzi, Lushkja, Uzuni, Kallaku, Rexhinaldo. Trajner: Gentian Mezani
Skënderbeu: Shehi, Taku, Jashanica, Aliti, Mici, Muzaka, Nimaga, Lilaj, Gavazaj, Sahiti, Xhejms. Trajner: Ilir Daja
Gjyqtarë: Klajdi Kola, Denis Rexha, Alfred Shkreta, Ermal Barushi
Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Pajtim Aliko