Mbrojtësi i Skënderbeut, Kristi Vangjeli, ishte ndër më të mirët në fushë në ndeshjen e sotme dhe në Supersport u përzgjodh si njeriu i ndeshjes. Mbrojtësi korçar pas ndeshjes komentoi fitoren, afrimin e titullit kampion dhe finalen e kupës.
– Edhe kur Skënderbeu duket jo në maksimum, sërish fituat.
– Ishte një ndeshje e barabartë, vuajtëm pak në pjesën e parë nga presioni i kundërshtarit dhe humbëm qarkullimin e topit, që është pika jonë më e fortë. Në pjesën e dytë ndryshuam komplet dhe dolëm në lojën tonë. Kishim mungesa, por e treguam edhe sot forcën tonë, morëm tre pikë që na afrojnë shumë me titullin.
– Goli i anuluar Partizanit, a ishte faull ndaj jush?
– Të them të drejtën, është faull i pastër. Sulmuesi më shtyu nga pas dhe vendimi i arbitrit ishte shumë i saktë. Unë isha më pranë topit, por u rrëzova pas një të shtyre nga pas dhe më pas sulmuesi i Partizanit mori topin.
– Soue e Xhejms jashtë, si ishte pa ta?
– Janë lojtarë kryesorë të ekipit, mbajnë peshë shumë të madhe në ekip dhe me lojtarë të tillë është shumë e lehtë në sulm. Ishte një problem shumë i madh mungesa e tyre sot dhe u pa qartë që nuk prodhuam raste për shënim, por kemi shumë lojtarë cilësorë, që e treguan se e meritojnë të jenë në këtë ekip, si Krasniqi, që tregoi se është i aftë të luajë te Skënderbeu, ose të shkojë e të luajë jashtë Shqipërisë.
– Titulli, i sigurt tashmë.
– Festojmë kur të jemi matematikisht kampionë. Presim Kukësin, ajo është finalja e radhës, pastaj kur të jemi kampionë do të mendojmë edhe për finalen tjetër, kundër Laçit në kupë.