Kapiteni bardhekuq, Orges Shehi ka lënë pas dëmtimin e pësuar javë më parë dhe me shumë mundësi ndaj Kukësit do zbresë në fushën e lojës për të dhënë kontributin e tij me shpresën se skuadra do të sigurojë matematikisht titullin kampion ndaj rivalit direkt.
Në një prononcim për ‘Sport ekspres’, kapiteni flet mbi rikthimin, të ardhmen, emocionet si bardhekuq dhe dëshirën për ta mbyllur sezonin me dy trofe.
- Shehi, së pari kur pritet të riktheheni në fushë, sepse shumë i keni munguar këtij Skënderbeu?
-Që këtë javë më keni në fushë. Pra, të dielën ndaj Kukësit do të jem atje në katërkëndor. E kam kaluar dëmtimin dhe jam gati.
- E keni ndjerë mungesën e ekipit edhe pse në fakt ju pas disa javësh e keni pohuar edhe vetë që do t’i thoni lamtumirë futbollit të luajtur?
-Faktikisht kam ndjerë mungesën e fushës,, sepse me ekipin atje kemi qenë bashkë në ç’do moment të ditës. Gjithë këtë periudhë të gjithë e kanë parë që kam qëndruar në stol dhe nuk ma bëntë zemra që të qëndroja në tribunë. E vërtetë është se asnjëherë nuk isha mësuar të isha në stol, pasi gjithë jetën kam qenë në fushën e blertë. Por, edhe atje të tregohem realist më ka pëlqyer dhe do të më shërbejë padiskutim për të ardhmen time.
- Shehi të dielë në Korçë vjen Kukësi dhe me një fitore do të shpalleni kampionë. Do të keni dëshirë të filloni edhe ju festën që këtë të dielë, që nga fusha e blertë?
-Është një ndeshje ndaj një rivali, por që ne jemi të shkëputur plot 14 pikë. Do të ketë brenda dhe për këtë ju garantoj emopcione dhe adrenalinë. Kemi diferencën që na jep qëtësi të madhe dhe do të futemi në fushë për ta dituar takimin. Pra, do të jetë thjesht një ndeshje radhe, pasi edhe nëse fitojmë dhe shpallemi kampionë, sërish trofeun do ta ngremë javën e fundit.
- Në këto javët e fundit ju kemi parë në rolin e “trajnerit” në stol. Është një ndihmë e madhe që po i jepni ekipit edhe që atje?
-Është një pozicion që më pëlqen shumë dhe atje ku kam dëshirë që të pozicionohem në të ardhmen. Kjo ishte dëshirë e të dy palëve, e klubit dhe e imja dhe u ndjeva vërtet mirë në stol. Gjithsesi ishte edhe një reflektim për të ardhmen.
- 6-të trofe i keni fituar me Skënderbeun, ky është i 7-ti për ju. Kaq shumë kupa i kishit menduar që do të vinin për Orges Shehin?
-Kurrë nuk e mendoja diçka të tillë që do të ishin kaq shumë trofe. Mos harroni në 8-të vite ne kemi fituar 7-të trofe, si asnjë skuadër tjetër në histori. Madje këtë histori e kemi edhe në Europë dhe kur mendon që jemi të vetmit që e kemi bërë diçka të tillë, ndjehesh më shumë se krenar.
- Mund të na shuani një kuriozitet. Në Korçë edhe presidenti Takaj ka deklaruar që këtë verë skuadra do të luajë në Champions. Shehi do ta mbyllë përpara Champions-it, apo do të sakrifikoni edhe pak muaj?
-Për mendimin tim do të jetë më mirë që të jem i fokusuar për momentin te ndeshjet e kampionatit për të mbyllur ç’ështjen titull dhe më pas për Kupën e Shqipërisë. T’i marrim të dy trofetë dhe se kur do ta lerë Shehi më mirë le t’ia lemë kohës. Është shpejt për të dhënë deklarata të tilla.
- Shehi, titulli kampion i këtij sezoni për ju ç’farë domethënie do të ketë?
-Në aspektin tim personal ka një domethënie të veçantë. Jam i vetmi besoj në Shqipëri që fitoj me një skuadër 7-të tituj kampionë. Në 8-të vite, 7-të trofe, veprat falsin vetë. Kjo është një arritje e madhe për klubin, por edhe për mua. Edhe një vit më parë mund të ishim kampionë, por treguam se jemi Skënderbeu dhe u rikthyem fuqishëm. Ndjehem vërtet krenar për këtë ekip.
- Po Kupën e Shqipërisë më 27 maj, do ta fitojë Skënderbeu? Ka një jetë të tërë që nuk fitohet ky trofe nga ky klub?
-Ndoshta këtë vit është viti i duhur për ta fituar dhe do të jem dyfish i lumtur nëse e fitojmë. Ta mbyllim së pari kampionatin dhe pastaj për trofeun e Kupës, kemi kohë dhe flasim.
- Së fundi, si do ta cilësonit këtë vit me këtë “luftë” kaq të madhe, me trofe, me festa, me Kupën e Shqipërisë, etj?
– Nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse statistikat flasin vetë. Ka qenë një vit shumë i suksesshëm që në qershorin e kaluar dhe deri në këtë moment. Ky ka qenë me plot gojë sezoni ynë. Ishim edhe pretendentë për të kaluar grupet. Imgjinojeni edhe një kampionat super me kaq shumë pikë diferencë. I kemi arritur të gjitha. Për mua ky është viti më i suksesshëm i këtij Skënderbeu të madh.