Suksesi ndaj Dinamos së Kievit, ashtu siç pritej, e ka ndihmuar skuadrën e Skënderbeut që të bëjë hapa gjigand para sa i përket renditjes së UEFA-s dhe përmirësimit të koeficientit të klubit korçar për shortin në aktivitetet ndërkombëtare.
Me triumfin ndaj ekipit ukrainas, klubi korçar ka fituar pikë të rëndësishme për renditjen ndërkombëtare dhe tani sheh veten të bëjë një tjetër hov shumë të madh para, duke mbajtur vendin e 136 në Europë. Ky është një rekord i ri për klubin, i cili kishte nisur sezonin nga vendi i 204 në Europë dhe vetëm falë këtij edicioni të jashtëzakonshëm ka bërë shumë hapa para duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me grupin e skuadrave që pjesëmarrjen në fazën në grupe të aktiviteteve kontinentale e kanë kthyer në zakon të përvitshëm.
Koeficienti i Skënderbeut tani është 8.500 dhe për të kuptuar më së miri ngjitjen e ekipit të drejtuar nga Ilir Daja, mjafton të shohësh se lë pas emra si Rosenborg, Crvena Zvezda, Sllavia Pragë, AEK Athinë, Panathinaikos, Hajduk Split, Vitese apo Grasshopers ndër të tjera.
Përveç kësaj, përfitim ka pasur edhe kampionati shqiptar, koeficienti i të cilit tani është 1.700, duke kaluar në renditjen e UEFA-s dy vende të tjera, Hungarinë dhe Islandën.