Trajneri bardhekuq, Ilir Daja në prag të ndeshjes me Vllazninë në transfertë është shprehur se pavarësisht vështirësisë që shfaq ky takim, Skënderbeu shkon në Shkodër me objektivin për të marrë 3 pikë të rëndësishme drejt titullit kampion.
– Vllaznia është rivali i radhës. Çfarë ekipi prisni në fushë?
– Do të jetë një ndeshje e vështirë për pozitën e ekipit në klasfikim. Ata do të kërkojnë të rikuperojnë pozicionin që kanë. Ne do të shkojmë atje për të respektuar kampionatin dhe do të jemi në fushë me qëllimin që të arrijmë objektivat tonë dhe të mbyllim sa më shpejt çështjen e titullit kampion.
– Si shkon ekipi në këtë takim?
– Përveç mungesës së Shehit dhe Lilajt por edhe Jashanicën që mungon prej kohësh nuk do të kemi mungesa të tjera. Janë dy mungesa të rëndësishme pasi Shehi është kapiteni jonë dhe Lilaj lojtari i kombëtares. Por ne kemi elementët e duhur që të bëjmë zgjidhjen më të mirë. Skënderbeu ka luksin që të ketë në dispozicion lojtarë që janë të gatshëm të luajnë titullarë në një ndeshje. Besoj se do të bëjmë zgjedhjet e duhura për të minimizuar sado pak mungesën e tyre në fushë.
– Skënderbeu do të vazhdojë me të njejtin ritëm?
– Ne kemi punuar maksimalisht që ditën e parë të këtij sezoni dhe do të vazhdojmë deri në fund në rrugën e nisur. Mua si trajner dhe ekipit i del për detyrë që të sigurojmë sa më parë kreun e superligës, atje ku kemi si favor, pasi jemi të shkëputur nga rivalët.