Në prononcimin e tij të fundit për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, trajneri Daja është shprehur se nesër do të jetë një takim rivalësh për titull por ekipi i drejtuar prej tij shkon për të marrë maksimumin.
Daja, përballë Kukësit prisni një ndeshje të vështirë?
Normalisht që po, do të jetë një ndeshje e vështirë pasi luajmë në fushën e tyre dhe e dimë shumë mirë se janë një ekip që shprehen në maskimum në fushën e vet. Do të jetë ndeshje e vështirë për vetë faktin se janë dy ekipe që luajnë për objektiva madhorë dhe në të tilla kushte askush nuk do të të humbë pikë përballë një kundërshtari direkt. Objektivi jonë dihet pasi ne hyjmë në çdo takim për të marrë maksimumin.
Si shkon Skënderbeu në këtë përballje?
Shkojmë me mungesën e sigurt të Gavazajt i cili është i dëmtuar dhe me shpresën për të pasur të gatshëm si Radasin ashtu edhe Osmanin për këtë takim. Nga ana tjetër ekipi është i mbushur me lojtarë dhe mund të japë më të mirën në çdo moment. Për këtë kemi menduar që të bëjmë edhe lëvizjet tona me qëllim që të hedhim në fushë ekipin më të mirë të mundshëm dhe më të freskët fizikisht.
Pra do të thotë se nuk do të bëni rotacion?
Jo nuk dua të them këtë, ndryshime do të ketë por do të mundohemi që kur t’i aplikojmë këto ndryshime të kemi balancën e ekipit të sigurt. Fakti që pas këtij takimi vjen edhe pushimi për shkak të kombëtares mund të them se është një tjetër element që do të na ndihmojë të rifitojmë energji.
Kjo ndeshje vlen edhe për hakmarrje?
Jo, nuk e mendoj kështu. Ajo ndeshje e sezonit të kaluar është thjesht një kujtim që nuk besoj se do të ndikojë. Shumë jemi marrë dhe është diskutuar shumë ajo ndeshje e sezonit të kaluar. Tanmi ne do të përqëndrohemi vetëm tek ndeshja e radhës, pa pasur asnjë imazh të asaj çka ndodhi në të kaluarën. Natyrisht do të kërkojmë që drejtuesit e ndeshjes të jenë në lartësinë e duhur dhe të zhvillohet një takim futbolli mbi gjithçka përtej rezultatit